Mehaj: Rritja e bashkëpunimi ushtarak me Shqipërinë, në funksion të stabilitet rajonal
Ministri i Mbrojtës, Armend Mehaj, ka bërë me dije se Kosova dhe Shqipëria janë zotuar që ta rrisin bashkëpunimin ushtarak.
Në një takim që ka zhvilluar me homologun e tij shqiptar Niko Peleshi, Mehaj ka thënë se thellimi i këtij bashkëpunimi është në funksion të paqes dhe stabilitetit rajonal.
“Edhe në këtë takim me vëllain, Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi ndamë kënaqësinë me sukseset e përbashkëta gjatë këtij viti, duke u zotuar që edhe në vitin e ardhshëm të rrisim bashkëpunimin në fushën e arsimimit e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake, me fokus në forcimin e gatishmërisë për ndërveprim operacional sipas konceptit 'Smart defense'”, ka shkruar Mehaj në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka thënë se bashkëpunimi i bën të dy vende më të fuqishme.
“Bashkëpunimi bilateral Kosovë -Shqipëri dhe rajonal me vendet partnere në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, është në interes të të dyja vendeve dhe në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale e më gjerë. Së bashku jemi gjithmonë më të fortë!”, ka shkruar ai.