Mehaj pas shpërthimit në Turqi: Me vullnet dhe forcë lutemi ta kaloni edhe këtë sfidë
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj është shprehur i tronditur pas sulmit që ka ndodhur gjatë ditës së diele në Turqi.
Mehaj ka shkruar se është lajm i hidhur humbja e jetëve të qytetarëve turq dhe plagosja e shumë të tjerëve.
“Në emrin tim, zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe gjithë ushtarakëve të FSK- së, shprehim dhimbjen, ngushëllimet e thella dhe solidaritetin e plotë me familjet e viktimave, Ministrin Akar, Ministrinë, gjithë ushtarakët e forcave turke dhe gjithë popullin turk. Me vullnetin dhe forcën tuaj lutemi t'a kaloni edhe këtë sfidë të rëndë. Shërim të shpejtë të plagosurve dhe forcë ekipeve të emergjencës”, ka shkruar ai.
Siç raportojnë mediat, dyshohet për një sulm kamikaz. Një gazetar i Al Jazeera me bazë në Stamboll tha se "ka dyshime të forta se shpërthimi është shkaktuar nga një kamikaz", duke shtuar se "ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar".
Ai thekson se shpërthimi ka tronditur qytetarët e Stambollit duke pasur parasysh se kohët e fundit nuk ka pasur asnjë paralajmërim për një sulm të mundshëm në qytet. Por masat e sigurisë në qytet ishin në nivel të lartë, tha ai.
