Mehaj nga Mitrovica: Niveli i ujit po bie dhe gjendja po qetësohet
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka vizituar komunën e Mitrovicës, pas reshjeve dhe vërshimeve.
Mehaj në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se së bashku me kryetarin, Bedri Hamza kanë dal në terren dhe kanë bërë të ditur se niveli i ujit po bie dhe gjendja po qetësohet.
“Situata me vërshime në vendin tonë është nën kontroll, me gjithë vështirësitë në terren ushtarët tanë me sukses po iu dalin në ndihmë qytetarëve tanë. Tani gjendem në Mitrovicë, u takuam me kryetarin e komunës, z. Bedri Hamza me të cilin diskutuam për masat që duhet të ndërmarrim, lajme të mira nga terreni ku niveli i ujit po bie dhe gjendja po qetësohet.” – ka shkruar ai.
Mehaj tutje ka shkruar se janë në dispozicion për ndihmë edhe në qytetet e tjera.
“Gjithashtu, forcat tona janë në ndihmë dhe dispozicion të qytetarëve në Skenderaj, Istog dhe Klinë, gjithashtu e njoftova kryetarin e Komunës së Junikut që në rast nevoje jemi në gatishmëri të plotë. Ushtria jonë është këtu për ju!” – ka përfunduar Mehaj.
