Mehaj: Kosova dhe Shqipëria e kanë dyfishuar bashkëpunimin ndërushtarak
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë me dije se Kosova dhe Shqipëria e kanë dyfishuar bashkëpunimin ndërushtarak.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se efektivët e të dyja ushtrive i kanë shkëmbyer eksperiencat e tyre gjatë trajnimit të përbashkët njëmujor.
“Efektivët tanë të njësive të këmbësorisë së bashku me vëllezërit e motrat e njësive homologe të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, shkëmbyen eksperiencat e tyre, gjatë trajnimit të përbashkët një mujor. Në kuadër të bashkëpunimit bilateral me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, kemi arritur që të dyfishojmë bashkëpunimin ndërushtarak, që ndër të tjera ka rezultuar me ndërtimin dhe zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve të para të komponentës luftarake dhe mbështetjes luftarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Vizionin e përbashkët e mbështesim në konceptin "smart defense", me mbështetjen dhe koordinimin e plotë me aleatin tonë jetik SHBA-në, gjithnjë në funksion të përmbushjes së misioneve tona kushtetuese, dhe në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë së vendeve tona, rajonit tonë dhe botës liridashëse dhe paqedashëse”- ka shkruar Mehaj.