Agjencia e lajmeve "Fars" raporton për dy shkaqe të rrëzimit të helikopterit të Raisit - NACIONALE

Agjencia e lajmeve "Fars" raporton për dy shkaqe të rrëzimit të helikopterit të Raisit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Aksidenti me helikopterin në të cilin vdiq në maj presidenti iranian, Ibrahim Raisi, ishte shkaktuar nga kushtet e motit dhe paaftësia e helikopterit për ta bartur peshën që e kishte, raportoi të mërkurën agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve, “Fars”, duke cituar një burim të sigurisë të informuar për rezultatet përfundimtare të hetimit.

Qendra e komunikimit e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, përgjegjëse për publikimin e të dhënave rreth hetimit të aksidentit, tha se ky raportim ishte “tërësisht i rremë”, raportuan mediat shtetërore.

Në një raport preliminar të ushtrisë iraniane në maj thuhej se gjatë hetimit nuk ishin gjetur dëshmi për ndonjë gjë të qëllimshme ose ndonjë sulm, raporton agjencia “Reuters”.

“Hetimi në rastin e rrëzimit të helikopterit të Ayatollah Raisit është përfunduar… ka siguri të plotë që ajo që ndodhi ishte aksident” – i tha agjencisë “Fars” burimi i sigurisë, emri i të cilit nuk u publikua.

Dy arsye për aksidentin janë identifikuar: kushtet e motit ishin të papërshtatshme dhe helikopteri nuk ishte në gjendje që ta përballonte peshën, duke e shkaktuar rrëzimin e tij në një mal, shtoi ky burim, sipas agjencisë “Fars”.

Hetimi tregon se në helikopter ndodheshin dy persona më shumë se kapaciteti që lejohet sipas protokolleve të sigurisë, i tha më tej burimi kësaj agjencie.

Raisi e humbi jetën nga aksidenti me helikopter në një zonë malore afër kufirit me Azerbajxhanin./Nacionale

Lajme të ngjashme