Mediumi serb për këngën e Albinës: Skandal, një pejane këndon për vendin e rremë të Kosovës
Në Serbi po quhet "skandal" triumfi i këngës së Albina Kelmendit në RTSH, për ta përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision Song Contest.
“SKANDAL! Shqipëria shkel rregullat e Eurovision Song Contest, publiku është tmerruar: NJË PËRFAQESUESE E PEJËS KËNDON PËR VENDIN e rremë TË KOSOVËS!”, shkruan tabloidi serb "Alo", të dielën.

Ende pa filluar gara në Eurovision, i cili starton në maj meqë ra fjala, mediumi serb jep verdikte të tilla si ky "Shqipëria ka krijuar një skandal që tmerroi publikun".
Mediumi në fjalë tutje potencon se fituesi u përcaktua nga vota e publikut dhe se në votim morën pjesë edhe banorët nga Kosova.
Shumë njerëz nga audienca në Shqipëri kishin pritje të mëdha që fitorja këtë edicion do t’i takonte yllit të muzikës në Shqipëri, Elsa Lila, e cila u kthye në Festival pas 25 vitesh. Elsa Lila fitoi vendin e parë sipas jurisë, por ajo nuk do ta përfaqësoj Shqipërinë në Eurovision. Në Shqipëri, fitorja e Albina Kelemendit u prit në forma të ndryshme.
“Për fatin e saj të keq, "Hajredin Pasha" mbetet ende pika më e lartë e karrierës muzikore të Albina Kelmendit. Kënga e saj ishte mesatare”, ka shkruar Edi Oga një nga organizatorët në dy edicione të Festivalt të RTSH-së.