Mediet ukrainase shpresojnë që Johnson-i të bëhet prapë kryeministër i Britanisë
Mediet ukrainase i kanë kushtuar hapësirë të madhe dorëheqjes së kryeministres britanike, Liz Truss, duke shkruar se “ana pozitive” e kësaj rrëmuje është që ajo mund të pasohet nga ish-kryeministri Boris Johnson, i cili është shumë i popullarizuar në Ukrainë.
Shumë ukrainas në rrjete sociale iu gëzuan kësaj mundësia, duke iu referuar Johnson-it si “Johnsonyuk”, siç njihet me dashuri në Ukrainë.
Deputeti ukrainas, Leonid Yemets, shkroi: “Boris Johnson-i po kthehet! Njësoj si Churchill-i në ditët e tij! Gishtat kryq”. Ndërkohë një gazetar tha: “Isha i bindur që të gjithë do të pendohen për largimin e Johnsonyuk-ut. Dhe... pikërisht ashtu ndodhi.”
Ish-kryeministri Johnson e ka vizituar disa herë Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt dhe është vlerësuar si njëri ndër figurat perëndimore që i kanë ofruar më së shumti përkrahje vendit të goditur nga lufta.
Ish-shefi i qeverisë britanike kishte realizuar një udhëtim të befasishëm në Ukrainë në qershor për t’u takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Ai e vizitoi Ukrainën edhe në gusht, më pak se dy javë para se të largohej nga pushteti.