Mbyllen 26 motele e villa në Kosovë “të pa regjistruara, dhe pa kushte teknike”
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore dhe Inspektoratin Qendror të Punës, ka realizuar një aksion të gjerë inspektues në funksion të respektimit të ligjit, mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të konkurrencës së ndershme.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë aksionit janë inspektuar 69 subjekte ekonomike, kryesisht nga sektori i hotelerisë dhe turizmit, me fokus të veçantë në vila dhe motele në mbarë territorin e Kosovës.
Si rezultat i inspektimeve, 26 subjekte janë mbyllur përkohësisht për shkak të mosregjistrimit të bizneseve dhe mungesës së pëlqimit apo aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike.
Ndërkohë, ndaj operatorëve që vepronin në kundërshtim me legjislacionin në fuqi janë shqiptuar 27 masa ndëshkuese administrative.