MBPZHR ndan 2.8 milionë euro për kompensim të dëmeve në bujqësi
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka njoftuar se ka ndarë 2.8 milionë euro për kompensimin e dëmeve për bujqit vendor të cilët pësuan nga fatkeqësitë natyrore në aktivitetin bujqësor të tyre.
Me anë të një postimi në Facebook, ata thonë se MBPZHR-ja do të mbuloj 82% të dëmeve në bujqësi. Sipas tyre, kompensimi do të bëhet për 22 komunat në Kosovë të cilat raportuan në Komisionin për shqyrtimin e raporteve për dëmet që u janë shkaktuar në komunën përkatëse.
“Kompensim të dëmeve në vlerë totale prej 2.826.464,05 Euro do të përfitojnë fermerët nga komuna e Deçanit, Drenasit, Ferizajt, Gjakovës, Gjilanit, Istogut, Junikut, Kamenicës, Leposaviqit, Lipjanit, Malishevës, Mitrovicës, Novobërdës, Komuna e Obiliqit, Pejës, Podujevës, Prishtinës, Rahovecit, Shtimes, Skenderajt, e Vitisë dhe komuna e Vushtrrisë”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.