Mbi 100 njerëz besohet të kenë vdekur nga rrëshqitja e dheut në Pagua Guinenë e Re
Më shumë se 100 njerëz besohet të kenë vdekur të premten nga rrëshqitja e dheut në një fshat malor e të largët në Papua Guinenë e Re.
Rrëshqitja e dheut ndodhi në fshatin Kaokalam të provincës Enga, rreth 600 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit Port Moresby, rreth orës 3 të mëngjesit, raporton agjencia “Associated Press”.
Banorët thanë se vlerësimi për numrin e viktimave është mbi 100, edhe pse autoritetet nuk e kanë konfirmuar shifrën. Fshatarët thanë se numri i të vdekurve mund të jetë shumë më i lartë.
Kryeministri James Marape tha se autoritetet ishin duke reaguar dhe se ai do të publikonte të dhëna për dëmet dhe humbjen e jetës së njerëzve, kur ato të jenë në dispozicion.
Australia, fqinje e Papua Guinesë së Re, tha se qeveria e saj qëndron e gatshme për të ndihmuar.