Mbi 100 deputetë britanikë kërkojnë që Qeveria t’ia ndalë Izraelit shitjen e armëve
Presioni parlamentar është duke u shtuar ndaj Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për ta ndaluar shitjen e armëve në Izrael, në kohën e shenjave se ky shtet synon që ta shpërfillë rezolutën e miratuar këtë javë në Këshill të Sigurimit të OKB-së me të cilën u bëhet thirrje të gjitha palëve për armëpushim.
Letra që u nënshkrua nga më shumë se 130 parlamentarë dhe që iu dërgua sekretarit të Jashtëm, David Cameron, i vë në pah veprimet e ndërmarra edhe nga shtetet e tjera, më së voni Kanadaja, e cila javën e kaluar njoftoi se do t’i ndalte të gjitha eksportet e armëve në Izrael, raporton gazeta “The Guardian”.
Ministrat britanikë tashmë janë duke u ballafaquar me thirrje nga sekretari i Jashtëm nën hije, David Lammy, që të publikojnë një këshillë ligjore për ministra për atë nëse ka rrezik serioz që Izraeli është duke e shkelur të drejtën humanitare ndërkombëtare, diçka që normalisht do ta nxiste pezullimin e armëve britanike.
Letra është bashkërenduar nga deputetja Zaraha Sultana dhe është nënshkruar nga shumë figura, përfshirë ish-ministrin laburist për Lindje të Mesme, Peter Hain, kryetarin e Partisë Kombëtare Skoceze në Westminster, Stephen Flynn e ish-kryetarin e Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn.
Në letër argumentohet se “biznesi i zakonshëm” i eksportimit të armëve britanike në Izrael është “tërësisht i papranueshëm” dhe se armë britanike po përdoren në Gaza, duke përmendur një hulumtim të ri të OKB-së, sipas të cilit është zbuluar se një aeroplan luftarak i tipit F-16 me pjesë britanike ndoshta është përgjegjës për bombardimin e mjekëve britanikë në Gaza.