Rasti i "G&G Exclusive": Arrestohen dy persona, kryhen bastisje dhe sekuestrohen 55 mijë euro
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se përgjatë hetimeve ndaj qytetarit Granit Gojanit i janë sekuestruar 55 mijë euro dhe ndaj tij është inicuar vepra penale “Shpërlarja e parave”.
Sipas Prokurorisë dje në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë realizuar dy kontrolle në Komunën e Gjakovës
Vlen të theksohet se Nacionlaja përgjatë vitit 2024, raportoi për qytetarin, Granit Gojani i cili dyshohet se mashtroi mijëra qytetarë për ndërtimin e villave të drurit, ku parat ua kishte marrë e villat nuk ua kishte përfunduar asnjëherë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik dhe të dëmtuarit në çështjen penale kundër të pandehurit G.G për veprën penale ‘’Mashtrimi’’ nga neni 323 par.4 se në vazhdën e hetimeve ndaj të pandehurit G.G., me datë 12.03.2025 në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka realizuar dy (2) kontrolle në Komunën e Gjakovës, me ç’rast ka sekuestruar edhe pesëdhjetë e pesë (55) mijë euro para të gatshme dhe njëkohësisht ka inicuar rast në lidhje me veprën penale ‘’Shpërlarja e parave’’ nga neni 56 i ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizimit. Rasti vazhdon të mbetet nën hetime dhe ndodhet në fazën finale”, ka njoftuar Prokuroria e Kosovës.
“Graçanicë / Vitet 2023-2024. Më 12.03.2025 me qëllim të sigurimit të provave shtesë lidhur me rastin janë arrestuar një mashkull kosovar dhe një femër kosovare si dhe janë kryer bastisje në dy lokacione në rajonin e Gjakovës ku janë sekuestruar kontrata të ndryshme dhe para në vlerë prej 55 000€. Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24 orësh.
Vlen të theksohet se një javë më parë Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se kundër të pandehurit në rastin G.G. për veprën penale “Mashtrimi” në vazhdën e hetimeve i janë ngrirë/sekuestruar edhe 166 parcela të cilat gjenden në komunën e Novobërdës dhe Graçanicës.
Po ashtu janë ngrirë/sekuestruar edhe dy banesa në Prishtinë, në vlerë mbi 1 milion euro për të cilat ekziston dyshimi i bazuar se janë përfituar me vepër penale
Për rastin në fjalë, burimet e gazetës Nacionale brenda prokurorisë kanë bërë të ditur se deri në tani janë lajmëruar 115 qytetarë nën dyshimin se pronari në fjalë i ka mashtruar.
Rasti vazhdon të mbetet nën hetime dhe ndodhet në fazën finale.