MASHTI miraton Katalogun e Teksteve Shkollore, ekzekutohen subvencionet për nxënësit e klasave 1–9
Pas vonesave në ekzekutimin e mjeteve financiare, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se ka miratuar Katalogun e Teksteve Shkollore, ndërsa janë ekzekutuar edhe mjetet për subvencionimin e teksteve shkollore për nxënësit e klasave 1–9 për vitin shkollor 2026/2027.
Sipas MASHTI-t, mjetet janë transferuar në llogaritë bankare të prindërve përfitues.
Procesi i aplikimit për subvencionim ka nisur më 27 korrik përmes platformës eKosova. Aplikimet janë verifikuar fillimisht nga koordinatorët e autorizuar në shkolla, ndërsa më pas listat i janë nënshtruar verifikimit përfundimtar nga komisioni përkatës i ministrisë.
Lista përfundimtare e përfituesve i është dorëzuar Ministrisë së Financave për realizimin e transferimit të mjeteve.
MASHTI ka bërë të ditur se ka zhvilluar negociata me shtëpitë botuese për përcaktimin e çmimeve finale të teksteve shkollore. Në bazë të raportit përfundimtar të komisionit për negocim, ministria ka miratuar Katalogun zyrtar të Teksteve Shkollore, ku janë përcaktuar çmimet finale për secilin tekst.
Sipas ministrisë, çmimet e përcaktuara në katalog janë të detyrueshme për të gjitha pikat e shitjes.
Sa është vlera e subvencionimit?
Bazuar në çmimet e përcaktuara në katalog, MASHTI ka nxjerrë vendimin për vlerën e subvencionimit për secilën klasë.
Klasat 1 dhe 2 – 60 euro;
Klasa 3 – 65 euro;
Klasa 4 – 70 euro;
Klasa 5 – 80 euro;
Klasat 6 dhe 7 – 90 euro;
Klasat 8 dhe 9 – 100 euro.
Me miratimin dhe publikimin e katalogut, prindërit dhe kujdestarët ligjorë mund të blejnë tekstet shkollore.
MASHTI u ka bërë thirrje prindërve që gjatë blerjes të kontrollojnë nëse tekstet po shiten me çmimet e përcaktuara në katalogun zyrtar.
Ndërkohë, Inspektorati i Arsimit do të nisë monitorimin e pikave të shitjes, me qëllim verifikimin e respektimit të çmimeve të përcaktuara. Sipas ministrisë, monitorimi do të zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme deri në fillimin e vitit të ri shkollor.
Pas fillimit të mësimit, Inspektorati i Arsimit do të kryejë verifikime edhe në shkolla për të konstatuar nëse nxënësit janë pajisur me tekstet shkollore.
Prindërit që evidentojnë mospërputhje mes çmimeve në katalog dhe atyre në pikat e shitjes mund ta raportojnë rastin në numrat zyrtarë të MASHTI-t.
Ministria ka njoftuar gjithashtu se sistemi i aplikimit në eKosova mbetet i hapur për fëmijët që ende nuk janë regjistruar në klasën e parë dhe do të regjistrohen në afatin e dytë, si dhe për prindërit e nxënësve të niveleve të tjera që ende nuk kanë aplikuar për subvencionim.