MASh jep detaje për Testin e Maturës 2026: Ndalohen telefonat, testi nis në orën 10:00 - NACIONALE

MASh jep detaje për Testin e Maturës 2026: Ndalohen telefonat, testi nis në orën 10:00

3 orë më parë

nga NACIONALE

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se nesër do të mbahet Testi i Maturës Shtetërore 2026, afati i parë, në të cilin do të marrin pjesë 19,514 maturantë në 152 qendra të testimit në të gjithë vendin.

Sipas njoftimit, procesi i testimit do të administrohet nga 1,360 administrues, si dhe 750 kryetarë dhe anëtarë të komisioneve. Testi do të nisë në orën 10:00 dhe do të zgjasë deri në orën 12:30.

Ministria u ka bërë thirrje të gjithë maturantëve që të paraqiten në qendrat e tyre të testimit më së largu deri në orën 09:00, në mënyrë që të përfundojnë me kohë procedurat e identifikimit dhe sistemimit në sallat ku do të zhvillohet testi.

Testi i Maturës Shtetërore 2026 do të zhvillohet brenda një dite për të gjitha lëndët dhe për të gjithë kandidatët. Ai përmban gjithsej 100 pyetje, përkatësisht nga 25 pyetje për secilën prej katër lëndëve: gjuhën amtare, gjuhën angleze, matematikën dhe një lëndë zgjedhore të përzgjedhur nga vetë kandidati.

MASh ka rikujtuar se posedimi i telefonave mobilë dhe i çdo pajisjeje tjetër elektronike gjatë testimit është rreptësisht i ndaluar. Çdo kandidat që konstatohet se ka me vete telefon apo pajisje elektronike do të largohet menjëherë nga testi, pavarësisht nëse pajisja është përdorur apo jo.

Ndërkaq, Qendra për Vlerësim ka bërë të ditur se janë përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit, ndërsa administruesit dhe anëtarët e komisioneve janë trajnuar dhe pajisur me udhëzimet përkatëse.

Lajme të ngjashme