Marshi për Liri – Hoxha: Të gjithë krerët institucionalë e partiakë janë ftuar të marrin pjesë
Platforma “Liria ka Emër” ka ftuar krerët institucionalë dhe partiakë që t’i bashkohen marshit të madh për liri, i cili do të mbahet më 12 shtator në përkrahje të çlirimtarëve të Kosovës.
Organizatorja e platformës, Eliza Hoxha, ka konfirmuar në emisionin “Rubikon” se ftesa u është drejtuar të gjithë krerëve institucionalë dhe partiakë, por deri më tani nuk kanë marrë konfirmim për pjesëmarrje nga të gjithë.
“Ne i kemi ftuar të gjithë sikur në çdo marsh. Ftesa ka qenë publike, por u ka shkuar edhe të gjitha institucioneve dhe krerëve institucionalë e partiakë, të gjithëve me email, me mundësinë që të vijnë në marsh dhe mund të adresohen nëse dëshirojnë”, ka thënë Hoxha.
Sipas Hoxhës, Bedri Hamza dhe Ardian Gjini e kanë konfirmuar pjesëmarrjen si folës në marsh. Në mesin e folësve pritet të jenë edhe vajza e dëshmorit Bajram Selmani, vajza e Salih Mustafës – Calit, Buna, si dhe Hysni Gucati, në emër të organizatave të dala nga lufta.