Maqedonci takohet me ministrin e Mbrojtjes së Kroacisë: Flasin për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka bërë të ditur se është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Kroaci, me ftesë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes të këtij vendi, Ivan Anushiq.
Maqedonci ka thënë se miqësia mes Kosovës dhe Kroacisë është e përjetshme sepse i ka themelet në historinë, vlerat dhe të ardhmen e përbashkët.
“Miqësia mes Kosovës dhe Kroacisë është e përjetshme sepse i ka themelet në historinë, vlerat dhe të ardhmen e përbashkët! Me ftesë të Zv. Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anushiq sot vizitova Kroacinë ku zhvillova takim me Ministrin Anushiq. Partneriteti dhe në veçanti bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë është në nivelin më të lartë.” – ka shkruar Maqedonci.
Ai tutje ka thënë se me ministrin Anushiq kanë shqyrtuar mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.
“Me Ministrin Anushiq shqyrtuam mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, diskutuam rreth situatës së sigurisë në regjion si dhe në nivel global. Ministrin Anushiq e falenderova për mbështetjen e vazhdueshme dhe shumë-dimensionale nga Kroacia për Kosovën si dhe konfirmova vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për anëtarësim në strukturat euro-atlantike. Gjatë vizitës poashtu nënshkruam marrëveshjen për shkollimin e kadetëve të FSK-së në Akademinë Ushtarake “Franjo Tugjman” e që rrit edhe më tej kapacitetet tona humane në mbrojtje dhe siguri.” – ka shkruar Maqedonci.