Maqedonci flet për prezencën ushtarake serbe në kufi: Rreziku nga Serbia është real
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka komentuar përsëri prezencën e shtuar të ushtrisë serbe në kufij me Kosovën.
Ai ka bërë me dije se prezenca e 48 bazave ushtarake përgjatë brezit kufitar me Kosovën, tregon se rreziku nga Serbia është real.
“Prezenca ushtarake e ushtrisë së Serbisë në jug të territorit të Serbisë dhe prezenca e 48 bazave të përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës duke i shtuar kësaj edhe bazamentin që është qasja hegjemoniste dhe agresive politike e Republikës së Serbisë në raport me Republikën e Kosovës, ky rrezik është real. Dhe vlerësojmë që përderisa Serbia vazhdon militarizimin, blerjet e sistemeve dhe armatimit nga Rusia dhe Kina dhe përderisa rrit kapacitetet ushtarake dhe sidomos ato në kufi me vendin tonë, ky rrezik është real dhe vlerëson që vendi ynë do ta trajtojë me të vërtetë si një rrezik real,” ka thënë Maqedonci në një intervistë për KosovaPress.
Sa i preket anëtarësimit të Kosovës në NATO, ai ka thënë se FSK-ja është gati.
“Ne kemi bërë hapa jashtëzakonisht të shumtë për përgatitjen e kapaciteteve tona mbrojtëse për anëtarësimin në NATO. Ministria e Mbrojtjes planifikon dhe organizon punën e saj bazuar në planifikimin që e bënë edhe NATO, në dokumentet që aplikon në NATO. Forca e Sigurisë së Kosovës zhvillohet, trajnohet dhe përgatitet siç përgatiten të gjitha vendet e NATO-s, ushtarakët tanë përgatiten me doktrinën e NATO-s dhe shumica e pjesëtarëve tanë janë të trajnuar në shkollat e tyre”, ka deklaruar ai.