Maliqi: Situata aktuale nuk është e favorshme për mbajtjen e zgjedhjeve në veri
Analisti Shkëlzen Maliqi ka bërë me dije se situata në veri nuk është e favorshme për mbajtjen e zgjedhjeve.
Ai ka vlerësuar se në atë pjesë mungon infrastruktura e duhur zgjedhore për mbajtjen e këtij procesi.
“Duhet kujtuar se sipas rregullave kushtetuese dhe vendimit të KQZ-së, zgjedhjet është dashur të mbahen para tre muajve, me 18 dhjetor, por u shtyn me kërkesën e faktorëve ndërkombëtarë. Edhe situata aktuale nuk është e favorshme për mbajtjen e zgjedhjeve, dhe ka gjasa që ato sërish të shtyhen jo vetëm për shkak të bojkotit të paralajmëruar të Listës Serbe, por edhe për shkak të mungesës së kushteve elementare për rregullsinë dhe mbarëvajtjen e tyre. Mungon infrastruktura për zgjedhjet”, ka thënë ai për Gazetën Blic.
Sipas tij, për situatën në atë pjesë të vendit një përgjegjësi e ka Lista Serbe.
“Lista Serbe është instrument i Beogradit dhe jo forcë politike që vendos vetë për dalje apo mosdalje në zgjedhje. Nëse me 23 prill në katër komunat në veri të Kosovës, të cilat nga vjeshta janë pa organe të pushtetit vendor, zgjedhjet nuk mbahen për shkak të bojkotit të votuesve serbë, atëherë duhet të konsiderohet se zgjedhjet nuk u lejuan nga qeveria serbe në Beograd, dhe jo se këtë e ka bërë Lista Serbe”, ka thënë Maliqi.