Maliqi për deklaratën e Hill: Një përqafim cinik i Vuçiqit deri në vdekjen e tij politike
Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka dalë me një postim në Facebook pas deklaratave të ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, i cili tha se “Serbia është më afër NATO-s, se sa Kosova”.
Maliqi ka deklaruar se Hill si ambassador, “e ka punë ta ledhatojë opinionin public në Serbi”, e madje, përmendi se ambasada atje edhe ka rrjedhur informacione në media, si ai që Serbia ka financuar kompanitë e kriminelit Radojiçiq.
“Hill është ambasador në Serbi, atë punë e ka, me e ledhatu opinionin publik në Serbi. Ndërkohë ai dhe ambasada atje paralelisht rrjedhin informata në media (shikoni raportin e javës së shkuar në median opozitare Nova TV) se Serbia i ka financuar kompanitë e Radojcicit disa ditë pas Banjskës - informatë që “koincidoi” me deklaratën e Escobar në Prishtinë.” – ka thënë ai.
Tutje, Maliqi është shprehur se pë rata që duan të kuptojnë, në lojë është më shumë një strategji e përqafimit cinik të Vuçiqit, deri në vdekjen e tij politike.
Përveç kësaj, ai ka thënë se deklarata për NATO-n është teknikisht e saktë:
“Për ata që duan të kuptojnë dhe nuk janë delirantë gjeopolitik që mendojnë se politika e SHBA duhet të diktohet prej Kosovës, në lojë më shumë është njëfarë strategjie perfide e përqafimit cinik të Vuçiqit deri në vdekjen e tij politike; e përdorimit të dobësisë së tij për ta shtyrë marrëveshjen me Kosovën dhe e zbutjes së sentimentit anti-perëndimor në Serbi. Përndryshe deklarata e Hill është teknikisht e saktë: Serbia ka më shumë ushtrime të përbashkëta me NATO-n dhe po kontribon në prioritetin e saj kryesor që është armatimi i Ukrainës. Edhe Kosova sot mund të ishte më afër NATO-s po të mos qeverisej nga një qeveri që e shpërfill koordinimin me NATO-n, kërcënon në kurriz të saj dhe mundohet t’ia diktojë politikë”.