Maliqi: Interesave të Rusisë në rajon u ka shërbyer dhe paaftësia jonë për ta lexuar kontekstin gjeopolitik
Analisti i politikës, Agon Maliqi ka thënë se interesave të Rusisë në rajon nuk i kanë shërbyer vetëm Serbia por edhe paaftësia e jonë për ta lexuar kontekstin gjeopolitik.
Maliqi shprehet se Kosova ka mungesë të një strategji përtej kornizave të ngushta të armiqësisë historike me Serbinë
Shkrimi i plotë i tij:
Synimi strategjik i SHBA/NATO në rajon prej shumë vitesh është shtensionimi dhe normalizimi i marrëdhënieve shqiptaro-serbe - dy popujve më të mëdhenj në rajon - si çelësi kryesor i paqes në gjithë rajonin dhe integrimit të tij në BE/NATO. Synimi strategjik i Rusisë ka qenë dhe mbetet mbajtja gjallë dhe thellimi i armiqësisë shqiptaro-serbe, si mënyra më e mirë për ta mbajtur peng Serbinë dhe gjithë rajonin larg BE/NATO. Interesave të Rusisë në rajon nuk i ka shërbyer vetëm kryeneçësia hegjemonike e Serbisë dhe qasja e saj instinktive pro-ruse. Asaj i ka shërbyer (me ose pa vetëdije) edhe paaftësia e jonë për ta lexuar kontekstin gjeopolitik dhe për ta definuar interesin strategjik përtej kornizave të ngushta të armiqësisë historike.