Maliqi: Escobar dhe Lajçak mund të kërkojnë shtyrje të reciprocitetit
Analisti kosovar, Shkëlzen Maliqi, i ka komentuar për Gazetën Insajderi takimet e fundit që emisari amerikan dhe ai europian i kanë pasur me krerët e shtetit të Kosovës, dhe atij të Serbisë.
“Dy emisarët po përpiqen që të gjejnë zgjidhje për momentin e krizës së përsëritur më 1 shtator, që të mos ndodh ekskalimi. Për dallim nga 1 gushti kësaj here kemi mobilizim të plotë të ndërkombëtareve”, ka thënë Maliqi.
“KFOR-i, që është forcë e NATO-s ka paralajmëruar serbët në Veri se nuk do të lejojnë vendosjet e barrikadave, kurse emisarët Lajçak dhe Escobar kanë bërë presion te Kurti e tanii edhe te Vuçiqi që të gjejnë një zgjidhje simetrike rreth targave dhe dokumenteve për kalimin e kufirit”, ka thënë tutje Maliqi.
Ai ka treguar se nëse nuk ka marrëveshje, Gabriel Escobar dhe Miroslac Lajçak “do te kërkojnë me gjasë edhe një afat që masat e paralajmëruara të shtyhen edhe për ca kohë, me gjasa deri në fund të vitit, në mënyrë që të vazhdojnë negociatat për marrëveshjen përfundimtare”.
Ndryshe, nga 1 shtatori, Kosova pritet të fillojë zbatimin e vendimit për reciprocitet me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet. Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla thotë se Policia e Kosovës është e gatshme të zbatojë vendimin.
Ai beson se qytetarët serb në veri e kanë kuptuar nevojën e zbatimit të këtij vendimi i cili është me përfitime për ata.