Macroni thotë se nuk ka mosbesim mes Evropës e Shteteve të Bashkuara
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se “nuk ka mosbesim” mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, një ditë pasi në një raport u pretendua se Macroni kishte paralajmëruar privatisht se ka rrezik që Uashingtoni ta tradhtojë Ukrainën.
“Uniteti mes amerikanëve dhe evropianëve rreth çështjes së Ukrainës është thelbësor dhe unë e them këtë përsëri e përsëri, duhet të punojmë së bashku” – tha presidenti francez para gazetarëve gjatë një vizite në Kinë, raporton gazeta “The Guardian”.
“Ne i mirëpresim dhe i përkrahim përpjekjet për paqe që po bëhen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nevojë për evropianët që t’i udhëheqin këto përpjekje për paqe”- shtoi ai.
Revista gjermane “Der Spiegel” të enjten citoi një përmbledhje të rrjedhur të një telefonate konfidenciale mes disa udhëheqësve evropianë, ku Macroni dhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, shprehën dyshime themelore për përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të negociuar mes Ukrainës e Rusisë.
Në transkriptim, Macroni citohet ta ketë paralajmëruar homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, se “ekziston një mundësi që ShBA-ja do ta tradhtojë Ukrainën sa i përket territorit, pa qartësi rreth garancive të sigurisë”.
Kur u pyet të premten për raportin e revistës gjermane, presidenti francez tha: “Unë mohoj gjithçka.” Revista tha se e kishte siguruar përmbledhjen në gjuhën angleze të telefonatës së zhvilluar të hënën, ku gjendeshin citate të drejtpërdrejta nga krerët e qeverive. Thuhet se kancelari gjerman deklaroi aty se Zelensky duhet të jetë shumë i kujdesshëm.