Macroni përsëri s’e përjashton dërgimin e trupave në Ukrainë - NACIONALE

Macroni përsëri s’e përjashton dërgimin e trupave në Ukrainë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se nuk e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave tokësore në Ukrainë, nëse Rusia i thyen vijat ukrainase të frontit dhe nëse qeveria ukrainase do të bënte një kërkesë të tillë.

Në një intervistë me gazetën “The Economist” publikuar të enjten, Macroni i përsëriti deklaratat e tij të mëparshme në përkrahje të Ukrainës përballë përparimeve ruse në fushën e betejës, raporton televizioni “Al Jazeera”.

“Nëse rusët do t’i thyenin vijat e frontit, nëse do të kishte një kërkesë ukrainase, që nuk është rasti sot, ne në mënyrë legjitime duhet t’ia bëjmë vetes këtë pyetje” – tha ai.

Kur u pyet se a qëndron prapa komenteve që i kishte bërë më herët këtë vit për mospërjashtimin e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë, presidenti francez tha: “Absolutisht. Siç thashë, nuk po përjashtoj asgjë, sepse po ballafaqohemi me dikë që nuk po përjashton asgjë.”

Sipas tij, shtetet evropiane duhet ta mbrojnë veten, duke shtuar se Rusia ka qenë agresive gjatë destabilizimit të rajonit, përfshirë kërcënimin për përdorim të armëve bërthamore.

“Unë kam një objektiv strategjik të qartë: Rusia nuk mund të fitojë në Ukrainë. Nëse Rusia fiton në Ukrainë, nuk do të ketë siguri në Evropë. Kush mund të pretendojë se Rusia do të ndalet atje? Çfarë sigurie do të jetë për shtetet e tjera fqinje, Moldavinë, Rumaninë, Poloninë, Lituaninë e të tjerat” – shtoi Macroni.

Lajme të ngjashme