Macroni e kritikon ShBA-në për politikën e jashtme: “Po ua kthen shpinën aleatëve”
Presidentët e Francës dhe Gjermanisë e kanë kritikuar ashpër politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara nën drejtimin e homologut të tyre, Donald Trump, duke thënë se Uashingtoi “po largohet nga rregullat ndërkombëtare”.
Në deklaratat e forta në mënyrë të pazakontë dhe që dukeshin sikur nuk ishin bashkërenduar, Emmanuel Macron dhe Frank-Walter Steinmeier paralajmëruan se rendi ndërkombëtar i mbështetur në rregulla e i formuar pas Luftës së Dytë Botërore mund të shembet së shpejti, shkruan gazeta “The Guardian”.
“ShBA-ja është fuqi e përforcuar, por që gradualisht po ua kthen shpinën disa prej aleatëve të saj dhe po largohet mu nga rregullat ndërkombëtare që deri vonë ishte duke i promovuar” – tha Macroni të enjten në Pallatin Elysee para trupës diplomatike të Francës.
“Institucionet shumëpalëshe po funksionojnë me gjithnjë e më pak efikasitet. Po jetojmë në një botë të fuqive të mëdha, me një ngasje të vërtetë për ta ndarë botën” – shtoi presidenti francez.
Ai tha se Franca “i refuzon kolonializmin e ri dhe imperializmin e ri, por gjithashtu edhe vasalizmin e disfatizmin”. “Ajo që ne e kemi arritur për Francën dhe në Evropë është një hap në drejtimin e duhur. Autonomi më e madhe strategjike, më pak varësi nga ShBA-ja dhe Kina” – tha më tej Macroni.
Komentet vijnë në kohën kur udhëheqësit e BE-së – të ndodhur mes nevojave për ta mbrojtur të drejtën ndërkombëtare dhe synimit për ta mbajtur ShBA-në pas vetes si partnere ekonomike jetike e aleate të mbrojtjes në Ukrainë e përtej saj – po hasin në vështirësi për t’u pajtuar rreth një kundërpërgjigjeje ndaj veprimeve të Uashingtonit.