Macron nis një iniciativë të re evropiane, e fton Kosovën me fusnotë
Emmanuel Macron, president i Francës, ka nisur një iniciativë të re politike e të cilën e ka emërtuar si Komuniteti Politik Evropian.
Në samitin që do të mbahet në Pragë, më 6 tetor, pritet të marrin pjesë 44 vende, përfshirë 27 liderë nga vendet anëtare të BE-së dhe 17 të tjerë nga vende të kontinentit evropian e që aktualisht nuk janë pjesë e BE-së, si: Britania, Turqia, Norvegjia e Ukraina, shkruan agjencia "Reuters".
Madje, sipas kësaj agjencie, diplomatët janë skeptikë për qëllimin e EPC-së, duke thënë se nuk është aspak i qartë dhe shumë dyshojnë se një nismë e tillë, me kaq shumë liderë përreth tryezës, zor se do të zgjasë.
Gazeta Nacionale e ka siguruar agjendën e takimit, ku shihet që edhe Kosova është ftuar në këtë nismë të Macronit.

Madje, ajo çfarë bie në sy është emri me të cilin është ftuar Kosova.
Tek emri i Kosovës është fusnota, sipas njërës prej marrëveshjeve të para të nënshkruara në Brukel, të cilën e kritikonte shumë në opozitë kryeministrit aktual, Albin Kurti.
Gazeta Nacionale mëson nga burimet e saj se, me shumë gjasë, presidentja Vjosa Osmani do të jetë liderja që do të marrë pjesë në këtë takim në Pragë.
Megjithatë, Nacionale ende nuk ka arritur të konfirmojë një gjë të tillë.
Njëri nga njerëzit që do të mbajnë fjalime është edhe presidenti i Ukrainës, Zelensky, natyrisht, në formatin online.
Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të mbajë një nga fjalimet kryesore të sesionit hapës të EPC-së.
Ndërsa Kosova do të jetë pjesë e diskutimeve në temën për paqen dhe sigurinë, të cilën e udhëheqin Moldavia dhe Slovakia.
Nëpërmjet kësaj nisme, shkruan Reuters, Macron-i dëshiron t’i ofrojë vendet kandidate për në BE, të cilat po e humbasin durimin në pritje të anëtarësimit në bllok.