Lushtaku: Kurti ta mbajë premtimin për lejimin e shamisë në shkolla, Nagavci po e kundërshton
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka thënë se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci po e kundërshton ndryshimin e udhëzimit administrativ që ndalon bartjen e shamisë nëpër shkolla.
Lushtaku për Tëvë 1 ka deklaruar se kryeministri Kurti e ka premtuar publikisht largimin e këtij neni, por për dy vite, sipas tij, ai nuk ka realizuar asnjë premtim.
“Kurti sa ka ardhur në pushtet dhe ka lobuar për këtë, ka pasur premtime publike në këtë drejtim dhe e shohim se gati dy vite dhe nuk e ka realizuar premtimin çfarë e ka bërë grupit përfaqësues të komunitetit që e praktikojnë fenë në këtë drejtim dhe sigurisht që kjo është në ndërgjegjen e tij dhe parimet e tij”, ka deklaruar ai.
Lushtaku shtoi se ministrja Nagavci po e kundërshton ndryshimin e udhëzimit administrativ.
“Ka një kundërshtim nga ministresha Nagavaci në ndryshimin e Udhëzimit Administrativ, por besojë që çdo vonesë është e gabueshme, sepse për mendimin tim është e drejtë themelore që nxënësit të arsimohen dhe të përfundojnë shkollën e mesme dhe atë fillore. Është e drejtë themelore e fëmijëve të Kosovës të shkollohen në mënyrë të barabartë”, tha Lushtaku.