Lushtaku kujton Masakrën e Izbicës: Asnjë më pak se 147!
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka përkujtuar Masakrën e Izbicës, ku forcat serbe vranë dhe masakruan 147 civilë shqiptarë.
Në reagimin e tij, Lushtaku e lidhi këtë përvjetor edhe me debatin e fundit për ekspozitën e Shkëlzen Gashit, të hapur më 24 mars në sheshin e Prishtinës me titullin “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e cila ka nxitur reagime të forta pas pretendimeve për pasaktësi në përmbajtje.
Duke kujtuar viktimat e Izbicës, ai tha:
“Asnjë më pak se 147! 147 qirinj të ndezur sonte në Skenderaj në nderim të 147 civilëve të vrarë e të masakruar në Izbicë të Skenderajt. 147 janë jetë të pafajshme të masakruara mizorisht nga forcat serbe para 27 vitesh”.
Lushtaku e akuzoi ashpër ekspozitën, duke e cilësuar atë si ofendim për viktimat e luftës dhe familjet e tyre.
“Dhe pikërisht sot, kur kujtesa kërkon dinjitet, ‘këshilltarë’ të pushtetit qendror tentojnë ta ndryshojnë e tjetërsojnë të vërtetën. Ekspozita e Shkëlzen Gashi është fyerje për viktimat dhe për çdo familje që ka dhënë për lirinë e Kosovës”, tha Lushtaku.