Lushaku-Sadriu: Qeveria të gjejë zgjidhje për hapjen e shkollave
Kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të gjejë zgjidhje për ndërprerjen e grevës në arsim.
Në një konferencë për medie, ajo ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ai nuk është i interesuar të merret me këtë çështje.
“Janë 318 mijë nxënës në shtëpi sepse Qeveria jonë nuk është e gatshme të gjejë zgjidhje për ta. Asnjëherë nuk ka ndodhur në Kosovë që shkollat të jenë të mbyllura për kaq shumë kohë. Ky komoditet që ka marrë Qeveria nuk i takon asnjë qeverie në botë. Duhet të gjendet një zgjidhje sa më shpejt, që nxënësit të kthehen në shkolla dhe kërkesat e mësimdhënësve të adresohen”, ka thënë ajo.
Me tej, ajo ka thënë se është përgjegjësi e kryeministrit ta gjejë një zgjidhje për ndërprerjen e grevës.
“Kriza është rritur, inflacioni është rritur. Qeveria s’po arrin ta menaxhojë këtë. I bëjmë thirrje Kurtit që ta gjejë mënyrën të dialogojë me sindikatat dhe Këshillin Grevist që sistemi arsimor të zhbllokohet”, është shprehur Lushaku-Sadriu.