Lushaku-Sadriu: Ka nisur fushatë e paturpshme kundër LDK-së, po frikësohen nga bashkimi i së djathtës
Ish-shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar pas asaj që e ka quajtur fushatë të organizuar kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në një reagim në Facebook, Lushaku-Sadriu tha se që nga mesnata ka nisur një valë sulmesh ndaj LDK-së, përfshirë, sipas saj, fabrikim posterësh në gjuhën serbe, lajme për dorëheqje dhe mesazhe fyese e intimiduese ndaj anëtarëve të partisë.
“Një fushatë e paturpshme ka nisur në mesnatën e mbrëmshme kundër LDK-së. Fabrikim i posterëve në gjuhë serbe, fabrikim i dorëheqjeve e fyerje me mesazhe intimiduese ndaj anëtarëve të LDK-së”, ka shkruar ajo.
Sipas Lushaku-Sadriut, këto veprime janë shenjë e frikës nga forcimi i LDK-së dhe nga bashkimi i së djathtës rreth kësaj partie.
“Krejt kjo është dëshmi e frikës së madhe që ekziston nga bashkimi i së djathtës rreth LDK-së e rritja e saj”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka mohuar se ka dorëheqje nga LDK-ja, duke thënë se kundërshtarët politikë po përpiqen të krijojnë përshtypjen e përçarjes brenda partisë.
“Kur nuk kanë argumente, shpifin, dhe kur nuk kanë mbështetje, fabrikojnë përçarje që nuk ekzistojnë. Nuk ka dorëheqje nga LDK, por ka vetëm një të vërtetë që i tremb: bashkimi i së djathtës po bëhet realitet”, ka thënë Lushaku-Sadriu.