Lukashenko thotë se e paralajmëroi Ukrainën që të mos e tërheqë Bjellorusinë në luftë - NACIONALE

Lukashenko thotë se e paralajmëroi Ukrainën që të mos e tërheqë Bjellorusinë në luftë

2 orë më parë

nga NACIONALE

Presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, tha të enjten se e ka paralajmëruar Ukrainën që të mos e tërheqë vendin e tij në luftë.

Kur forcat ruse po hasin në vështirësi për të avancuar dhe Ukraina po lëshon dronë mbi caqe thellë brenda Rusisë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka pretenduar disa herë se Moska dëshiron që ta bëjë Bjellorusinë më të përfshirë në konflikt në anën ruse, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ai javën e kaluar kërcënoi se do t’i shfuqizonte stacionet e sinjalit në Bjellorusi, për të cilat tha se po i ndihmojnë dronët rus për ta goditur Ukrainën. Të mërkurën, Zelensky tha se puna në këto stacione është ndërprerë, edhe pse nuk pati konfirmim të pavarur për një gjë të tillë.

Lukashenko, aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, tha në komentet e transmetuara në televizion se disa përfaqësues të Zelenskyt kanë qenë në Minsk rishtazi.

“Unë u thashë atyre haptas: Djem, tregojini presidentit tuaj, nëse ai mendon se mund të flasë me ne ashtu dhe të na tërheqë në luftë, atëherë ai duhet të kuptojë se natyra e luftës do të ndryshonte menjëherë” – tha Lukashenko, duke shtuar se Bjellorusia nuk ka dëshirë që të luftojë kundër ukrainasve.

“Ne morëm një përgjigje: presidenti dhe ekipi i tij e kuptojnë këtë. Atëherë, le të arrijmë një marrëveshje, djem. Duhet të arrijmë një marrëveshje substanciale” – shtoi ai.

Nuk pati koment të menjëhershëm nga Kievi.

Lajme të ngjashme