Lladrovci: Ruaje zot popullin me aleancat e krijuara historike nga patriotët e vonuar - NACIONALE

Lladrovci: Ruaje zot popullin me aleancat e krijuara historike nga patriotët e vonuar

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës ruajtjen e aleancave historike.

Në një status në profilin e tij në “Facebook”, ai i është lutur Zotit që këto aleanca të ruhen nga patriotët e vonuar e trimat e pas luftës.

Sipas tij, askush nuk guxon t`i rrezikojë këto aleanca që i kanë sjell Kosovës lirin dhe pavarësinë.

“Ruaje zot popullin me aleancat e krijuara historike nga patriotët e vonuar e trimat e pas luftës! Kosova nuk e meriton këtë trajtim, as nga faktori i brendshëm e as i jashtëm. Vuajtjet e popullit tonë, kanë qenë tepër të rënda, që sot, të bëjmë eksperimente dhe shkelim mbi besimin e fituar të aleatëve. Kushdo e njeh historinë, e di se çfarë ngjau me kombin tonë, me Traktatin e Shën Stefanit, Kongresin e Berlinit, Konferencën e Londrës, Konferencën e Paqes në Paris e deri në Rambuje. Krijimi i aleancave dhe leximi i drejtë i gjeopolitikës, nuk është punë e lehtë. Çdo keqlexim, i kushton kombeve e popujve, ndërsa regjimeve u mbetet vula e paaftësisë e deri te tradhtia”, ka shkruar Lladrovci.

Ai ka treguar për mundin e popullit të Kosovës për të ardhur deri në këtë ditë.

“Kosova dhe populli i saj ka hequr tepër shumë për të vënë në diskutim aleancat dhe historinë e krijuar nga 1981 e këndej. Kalimi i Kosovës nga tokë e djegur në qershor të vitit 1999 në shtet me demokraci të qëndrueshme, me mbi 115 njohje dhe të gjitha institucionet dhe parametrat shtetëror, është meritë e qytetarëve tanë dhe aleatëve. Sot, çdo tendencë për uljen e rrolit esencial të vendeve të BE-së dhe ShBA-së, për shtetformimin dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, është më shumë se mjerim. Analfabetëve politikë brenda partive, kur flasin për aleancat, politikën dhe demokracinë e keqlexuar, nuk ua sheh sherrin vetëm partia, po krejt Kosova”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme