Lirohet nga arresti shtëpiak dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi
Jamarbër Malltezi, dhëndri i liderit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, është liruar nga masa e arrestit në shtëpi, e vendosur ndaj tij që prej 21 nëntorit 2023. Vendimi i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar parashikon zëvendësimin e arrestit me masën e garancisë pasurore, duke i mundësuar atij të hetohet në gjendje të lirë, raporton Euronews Albania.
Malltezi është nën hetim për aferën e njohur si “Dosja Partizani”, ku përballet me akuzat për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Sipas organit të akuzës, ai dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme mbi 5.4 milionë euro nga një projekt ndërtimi, përmes vendimeve të favorizuara nga qeveria e kohës kur vjehrri i tij, Sali Berisha, ishte kryeministër.
Pas daljes nga Gjykata e Posaçme, Malltezi e cilësoi procesin si politik dhe të porositur nga kryeministri aktual, Edi Rama. Në një prononcim për mediat, ai deklaroi:
“Pas më shumë se 20 muajsh izolimi të padrejtë, më në fund u zëvendësua kjo masë politike me një garanci pasurore. Ky ishte një urdhër politik i Edi Ramës, jo një proces ligjor. Në kongresin e PS-së ai kërkoi haptazi ndjekje penale për Sali Berishën, dhe të njëjtën gjë e kërkoi edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim, e cila, sipas meje, ka vepruar me qasje të korruptuar. Nuk kemi të bëjmë me drejtësi, por me ndjekje politike ndaj kundërshtarëve të qeverisë.”
Pavarësisht lirimit të tij nga arresti shtëpiak, procedurat penale ndaj Malltezit vazhdojnë. Tashmë, SPAK pritet të vendosë nëse çështja do të dërgohet për gjykim apo do të mbyllet.