“Liria ka Emër” zhvillon aksion para EULEX-it në Prishtinë, ku ndodhet Zyra e Dhomave të Specializuara
Tetë ditë para shpalljes së aktgjykimit për katër ish-krerët e UÇK-së në Hagë, aktivistë të organizatës “Liria ka Emër” kanë zhvilluar një aktivitet simbolik para objektit të EULEX-it në Prishtinë, ku ndodhet edhe Zyra e Dhomave të Specializuara.
“Në emër të popullit, shpalleni të pafajshëm”, thuhej në banerin me figurat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në këtë aktivitet, vajza e dëshmorit Fatmir Fazliu dhe mbesa e dëshmorit Ali Haliti, Flaka Fazliu, dhe aktiviste e organizatës “Liria ka Emër”, ka kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Ata nuk luftuan për privilegje, pushtete dhe as për hakmarrje, por luftuan për liri. Prandaj sot kam ardhur këtu me një mesazh që nuk mund të relativizohet dhe as të anashkalohet: ne kërkojmë drejtësi”, tha ajo.
Fazliu theksoi se drejtësia nuk mund të shkëputet nga historia dhe se nuk duhet harruar se kush ishte agresori dhe kush viktima.
“Në emër të Kosovës: JU SHPALLENI TË PAFAJSHËM!”, tha ajo, duke iu referuar Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Ajo shtoi se më 16 shtator nuk pritet vetëm një aktgjykim, por edhe një përgjigje nëse “do të triumfojë drejtësia apo padrejtësia do të marrë vulën e drejtësisë”.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk ka informacion për vendimin që do të merret në Gjykatën Speciale.
Aktgjykimi për katërshen pritet të shpallet më 16 shtator, në seancë publike.
Në vitin 2025 janë mbajtur pesë protesta në mbështetje të UÇK-së, ndërsa dy të tjera janë organizuar gjatë këtij viti. Një protestë tjetër është paralajmëruar për 12 shtator në Prishtinë, me kërkesë për vendim lirues për katër ish-krerët e UÇK-së