“Liria ka Emër” fton qytetarët në marshin e 12 shtatorit: Do të ketë transport të organizuar nga e gjithë Kosova
Platforma “Liria ka Emër” ka ftuar qytetarët në marshin e 12 shtatorit.
Në një konferencë për media, përfaqësuesit e kësaj platforme Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha kanë bërë me dije se do të ketë transport të organizuar nga të gjitha komunat e Kosovës.
Tasholli ka deklaruar se mobilizimi qytetar po ndjehet kudo nëpër Kosovë dhe në diasporë.
“Kjo gatishmëri na bën të besojmë se në ditën e Marshit nuk do të jemi thjesht shumë njerëz në një vend. Do të jemi njerëz të bashkuar nga kujtesa, solidariteti dhe kërkesa për drejtësi. Prandaj, sot ftesa jonë shkon për secilin, ejani dhe bëhuni pjesë e Marshit. Ejani me familjet tuaja, me miqtë dhe me bashkëqytetarët tuaj. Le të jetë pjesëmarrja jonë masive, paqësore dhe dinjitoze”, ka thënë ai.
Kurse, Eliza Hoxha ka dhënë detaje për transportin e organizuar nëpër komunat e Kosovës.
“Nga qytetet dhe komunat anembanë vendit do të organizohen nisje drejt Marshit. Pikat e nisjes, oraret dhe detajet e transportit do të bëhen publike me kohë përmes njoftimeve tona zyrtare. Mesazhi ynë është i thjeshtë, kudo që jeni, bëhuni gati”, ka thënë ajo.