Liria e eliminon Dritën nga Kupa e Kosovës - NACIONALE

Liria e eliminon Dritën nga Kupa e Kosovës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nënkampioni i Superligës së Kosovës dhe lideri aktual është mposhtur nga Liria e Ligës së Parë për t’u eliminuar nga Kupa e Kosovës, qysh në 1/16 e kësaj gare.

Skuadra prizrenase e cila pozicionohet e katërta në rangun e dytë të garave, u kujdes për të shkaktuar befasinë gati se të vetme në këtë fazë të garës.

Liria e nisi shumë mirë ndeshjen, duke shënuar gol qysh në minutën e tretë të takimit, ku shënoi Prins Tjiueza, pas asistimit të Liridon Fetahajt.

Drita arriti të kunderpërgjgijen në pjesën e parë, duke barazuar gjithçka në minutën e 32-të me anë të sulmuesit maqedon, Marko Simunovski.

Me këtë rezultat dy skuadrat shkuan në pushimin mes dy pjesëve.

Në pjesën e dytë vendosi një gol në frymën e fundit.

Ishte Ardit Topallaj që shënoi me kokë pas harkimit të Fetahajt në minutën e fundit për t’ia dhuruar fitoren e befasishme prizrenasve.

Kujtojmë se tani vetëm Ballkani ka mbetur pa zhvilluar lojën e tyre në Kupë, për të kompletuar skuadrat në 1/8 e finales.

Kampioni në fuqi takohet me Phoenix nesër me fillim nga ora 12:00.

Lajme të ngjashme