Ligji i ri i ATK-së, Murati pretendon se veç në shkurt janë regjistruar 5 mijë punëtorë të rinj
Pas Ligjit të ri të ATK-së i cili ka hyrë në fuqi, ministri i Financave, Hekuran Murati po pretendon se janë regjistruar pesë mijë punëtorë të rinj.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ai ka deklaruar se “po vazhdon fushata e kontrolleve në biznese për punëtorë të padeklaruar”.
“Gjatë muajit shkurt janë regjistruar 5,054 të punësuar të rinj. Kjo vjen si rezultat i hyrjes në fuqi të ligjit të ri të ATK-së, i cili kërkon që punëtorët të regjistrohen/deklarohen së paku një ditë para se ata të fillojnë punën.“ – ka thënë ai.
Murati tutje u ka bërë thirrje të punësuarve që të denoncojnë punëdhënësin në rast se nuk janë deklaruar në ATK.
“Të gjithë të punësuarit duhet të kontrollojnë nëse punëdhënësi i ka deklaruar në ATK, dhe në rast se jo, të denoncojnë punëdhënësin. Punëdhënësi ka për obligim të deklarojë të gjithë të punësuarit dhe t’u paguajë kontributet me rregull.” – ka shkruar ai.