Liderët institucionalë nënshkruajnë aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në BE
Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamenatri Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë nënshkruar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Pas nënshkrimit, presidentja Osmani ka thënë se kjo është një ditë historike për Kosovën.
“Sot është një ditë historike. Është moment historik. 14 dhjetori ka rëndësi të dyfishtë në historinë moderne të Kosovës. Përveç aplikimit për anëtarësim, sot është edhe përvjetori i themelimit të Ushtrisë. Këto dy akte shkojnë në drejtim të vizionit tonë euroatlantik”, ka thënë Osmani.
Sipas saj, ky veprim ka një rëndësi të madhe për të ardhmen e Kosovës.
“ Në emër të Kosovës, po marrim një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës. Për të sjell vendin tonë një hap më afër BE-së. Për Kosovën, nuk ka pas alternativë tjetër. Në vigjilje të 15-vjetorit të Pavarësisë, ky akt i dedikohet të gjithë qytetarëve, ata që luftuan për liri. ”, ka thënë Osmani.