Lëvizja Socialiste për Integrim ndryshon emrin e partisë
Lëvizja Socialiste për Integrim mbajti konventën e saj të pestë. Në këtë konventë, ky subjekt, i themeluar në vitin 2004, ndryshoi emrin e nga “Lëvizja Socialiste për Integrim” në “Partia e Lirisë”
Ky lajm u bë i ditur nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, i cili bazuar mbi ndryshime statutore, propozoi ndryshimin e emrit të partisë.
Pas dorëheqjes së kryetares Monika Kryemadhi, Braimllari gjithashtu i propozoi Konventës Kombëtare krijimin e Komitetit Organizator.
Ky i fundit, do të ketë për detyrë që të drejtojë partinë dhe ta përfaqësojë atë në të gjitha nivelet.
Si drejtues i Komitetit Organizator u zgjodh ish-lideri i LSI-së Ilir Meta, dhe zëvendëskryetar Agim Nesho.
Në fjalën hapëse, Braimllari u shpreh fillimisht se ky organizim ka të njëjtën rëndësi si themelimi i Partisë.
“Konventa Kombëtare që mbahet sot, ngjan për nga momenti kritik, me mbledhjen e parë të themelimit të saj, në vitin 2004. Për fat të keq, situata është rënduar më shumë se kurrë, ku demokracia shqiptare është sërish në rrezik të madh”, tha ai.
Në këtë tubim, foli ish-Presidenti i Shqipërisë dhe themeluesi i LSI-së, Ilir Meta.
Meta ndër tjera tha se sovraniteti i Shqipërisë, së bashku me pavarësinë e Kosovës, janë në rrezik.