Lëvizja për Bashkim: Dialogu Kosovë-Serbi mbi premisa të gabuara, duhet të bëhet pjesë edhe Kosova Lindore
Lëvizja për Bashkim ka deklaruar se është e rëndësishme që Presheva, Bujanovci e Medvegja të jenë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi.
Në një komunikatë për media, Lëvizja për Bashkim ka thënë se dialogu mes dy vendeve, që në fillim ka qenë i vendosur mbi premise të gabuara.
“Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të gjejë zgjidhje afatgjatë dhe demokratike nëse Kosova Lindore nuk bëhet pjesë e këtij dialogu”, thuhet tutje në këtë komunikatë.
Po ashtu, janë renditur edhe tri arsye se pse duhet të ndodhë diçka e tillë, duke përmendur këtu se ky është vullnet edhe i popullatë shumicë.
Në fund, thuhet se Kosova Lindore duhet të përfshihet në dialog sa më shpejtë, në mënyrë që qytetarët atje të ngjallin shpresën se do të shpëtojnë nga diskriminimi i shtetit serb.
Komunikata e plotë:
Pse është e domosdoshme që Kosova Lindore të bëhet pjesë e dialogut Kosovë-Serbi
Që në fillimet e tij e në vazhdimësi dialogu Kosovë-Serbi ka qenë i vendosur mbi premisa të gabuara. Është biseduar e po bisedohet vetëm për serbët e Kosovës, përkatësisht veriun e Kosovës e po lihen anash padrejtësisht shqiptarët e Kosovës Lindore (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë).
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të gjejë zgjidhje afatgjatë dhe demokratike nëse Kosova Lindore nuk bëhet pjesë e këtij dialogu. Është kështu për shumë arsye:
E para, është vullnet i popullatës shumicë, i shprehur me të gjitha format legale demokratike; dhe se është pjesë natyrore e trungut të Republikës së Kosovës, me vazhdimësi territoriale dhe me shumicë shqiptare;
E dyta, është detyrë e secilës palë të përfshirë në dialog që të angazhohet për arritjen e një marrëveshjeje sa më të drejtë, një marrëveshjeje që sjell paqe, stabilitet dhe zhvillim afatgjatë për të gjitha këto palë;
E treta, përfshirja e Kosovës Lindore në dialogun Kosovë-Serbi është çelësi demokratik për të gjitha palët në dialog, i cili çon në zgjidhje me paqe, stabilitet dhe zhvillim afatgjatë;
E katërta, e balancon dialogun;
Dhe, në fund, Kosova Lindore duhet të përfshihet në dialog sa më shpejt, në mënyrë që banorët e kësaj pjese të shohin një shpresë perspektive për jetën e tyre, ta ngjallin shpresën se do të shpëtojnë nga diskriminimi shekullor që përjetuan nga shteti serb.
Lëvizja për Bashkim
Prishtinë, 8.11.2022