Lekaj: Qeveria nuk është duke bashkëpunuar me opozitën
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, gjate seancës në Kuvendin e Kosovës, ku është duke u diskutuar për masat emergjente të energjisë, ka thënë se qytetarët janë të dëshpëruar se si kjo qeveri është duke e udhëhequr shtetin.
Sipas Lekajt, kjo është hera e gjashtë që qeveria merr vendime të energjisë në dëm të qytetarëve të Kosovës.
"Se që dy vite qeverisje nuk keni arritur që të bëni zgjidhje bazë të sektorit të energjisë elektrike, duke e ditur që është një temë që kërkon punë dhe angazhim për funksionimin, prandaj po duhet që të funksiononi me terma emergjentë, pa vizion dhe pa zgjidhje afatgjate"- ka thënë Lekaj.
Lekaj ka kërkuar nga pozita që të tregojë se nuk është duke bashkëpunuar me opozitën.
"Tregojuni qytetarëve se ju nuk jeni duke bashkëpunuar me opozitën, kur opozita ju ka bërë vazhdimisht thirrje që të merreni me zgjidhjen e problemit të energjisë. Kur opozita ju ka kritikuar dhe ka kërkuar, përmes komisioneve parlamentare, debateve për energji, konferencave për medie që të merreni urgjentisht me energjinë, ju e keni akuzuar opozitën për propagandë dhe pengim të punës së qeverisë"- ka deklaruar deputeti i AAK-së
Lekaj tha se qeveria do të duhet t'u tregojë qytetarëve se si të lahen, si të flenë dhe si të i izolojnë shtëpitë, pasi kjo qeveri nuk ka plan konkret për zgjidhjen e problemit të energjisë.