Lekaj: Kurti nuk e ka në vizion shtetin, por partinë e vet
Nënkryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se në partinë e tyre as që flitet nëse do ta kalojnë pragun zgjedhor në zgjedhjet e ardhshme.
Në emisionin “DPT te Fidani”, ai deklaroi: “Aleanca do të hyjë në garë, dhe do të hyjë për të fituar, dhe sa fitojmë, varet nga qytetarët, por jemi të bindur dhe as që flitet në strukturat e Aleancës, se a e kalojmë apo jo” pragun.
Lekaj kritikoi edhe qeverisjen e Albin Kurti, duke thënë se nuk duhet t’i zgjatet jeta kësaj qeverie.
“Ai nuk e ka në vizion shtetin, por partinë e vet, se sikur ta kishte pasur apo të kishte pasur vizion të vetin për të mirën e vendit sikur të kishte menduar, atëherë pa e krijuar qeverinë do të ftonte Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës për ndonjë marrëveshje paraprake. Këtë nuk e ka bërë. E ka zgjedhur kryetarin e Kuvendit, e ka krijuar qeverinë, dhe i ka injoruar totalisht. Ka menduar se tri pozitat kryesore, kryeministrin, kryekuvendarin dhe presidentin e vet, t’i takojnë Lëvizja Vetëvendosje, dhe e dëshmoi me kandidimin për president të Glaukut dhe të doktoreshës”, tha nënkryetari i AAK-së, dhe shtoi “nuk bën të lejojmë të biejmë në kurthin e Kurtit”.
Ai tha se edhe sikur Kurti të ftonte AAK-në në takim, “nuk do t’i shkonim”.
“Jo që ka qeverisur me duar të pastra, por është zhytur në korrupsion deri te veshët, deri te maja e kokës. Shikoni tenderët një-burimorë, shikoni energjinë se sa vjedhje masive me NOA-n… nëse ka aq shumë tenderë, ku janë more ato para? Merre autostradën për Gjilan, janë bërë me u la shotat aty, qe 6 vite. Merre Gjakovë-Dollc, merre për Pejë, zgjerimin e rrugës, e ka pasur të gatshme autostradën e mbyllur me katër korsi, dhe e ka hjekur atë”, shtoi Lekaj.