“Lehtësim i procedurave për mjekët nga diaspora”, vendimet që u morën dje në mbledhjen e Qeverisë
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar në Facebook për vendimet që janë marrë në mbledhjen e djeshme të Qeverisë.
Postimin e ka nisur me vendimin për lehtësimin e procedurave për mjekët nga diaspor.
“Me dy vendime lehtësuam angazhimin në institucionet tona të profesionistëve e bashkatdhetarëve tanë, për të sjellë kontributin e tyre profesional e akademik në Republikën tonë të përbashkët”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë:
Mbledhja e 99-të
Me dy vendime lehtësuam angazhimin në institucionet tona të profesionistëve e bashkatdhetarëve tanë, për të sjellë kontributin e tyre profesional e akademik në Republikën tonë të përbashkët.
Miratuam Strategjinë e Arsimit 2022-2026 për nevojat zhvillimore të sektorit të arsimit për periudhën vijuese pesëvjeçare.
Ndamë mjete për pagesë për orët shtesë të grumbulluara mbi normë për Policinë e Kosovës.
Gjithashtu, ndamë mjete edhe për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, sipas kërkesave të tyre.
Për zhvillimin dhe masivizimin e sportit të xhudos në Republikën e Kosovës, miratuam programin “Kosova, Shtet i Xhudos”.
Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë është ndër projektet më të rëndësishme nacionale. Në mbledhjen e sotme vendosëm datën e fillimit dhe përfundimit të regjistrimit: 1 shtator – 16 tetor 2023.