LDK: Komentimet për lëvizjet e Kurtit nuk janë të mjaftueshme për të konkluduar çfarë u bisedua në takimin e Brukselit
Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka thënë se imazhet e komentimet për lëvizjet e kryeministrit Albin Kurti në Bruksel, nuk janë të mjaftueshme për të konkluduar se çfarë u bisedua në takimin e Brukselit.
Halimi në një prononcim për gazetën Nacionale, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës mban të njëjtat qëndrime, që i kishte edhe më parë, sa i përket dialogut.
“Imazhet e komentimet për lëvizjet e kryeministrit nuk janë aq të mjaftueshme për të konkluduar çfarë në të vërtetë u bisedua në takimin e Brukselit. Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet në të njëjtat qëndrime për sa i përket dialogut; ruajtja e integritetit territorial, si dhe njohja nga Serbia mbeten parime qenësore”, ka thënë ajo.
Halimi mes tjersh për Nacionalen ka thënë se Lëizja Vetëvendosje mbetet në nivelin më të lartë të mostransparencës.
“Kjo qasje, përpos që po e bllokon përçimin e së vërtetës tek qytetarët lidhur me përmbajtjen e agjendën e dialogut, partisë në pushtet po i krijohet mundësia të shtrijë gjuhën propaganduese të militantëve për tifozllëk që të mbulojë paaftësinë qeverisëse”, ka thënë ajo.