LDK-ja kërkon themelimin e Bursës së Përbashkët për Energji Kosovë-Shqipëri - NACIONALE

LDK-ja kërkon themelimin e Bursës së Përbashkët për Energji Kosovë-Shqipëri

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka prezantuar planin e kësaj partie kundër territ.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se shteti duhet të krijojë mundësi për furnizim me burime alternative, siç janë drunjtë dhe peleti.

Ajo ka thënë se LDK-ja kërkon inicimin dhe zotohet të përkrahë çdo nismë ligjore eventuale në Kuvend për të themeluar Bursën e Përbashkët për Energji Kosovë-Shqipëri.

Postimi i plotë i Halimit:

Paaftësia e qeverisë me shumë numra në Kuvend, me të gjitha pushtetet në dorë, e me kryeministrin që e 'mbajnë në terr informativ' për terrin energjetik - ka bërë që të kemi reduktime në verë. Prandaj, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shpalosur Planin me 10 pika kryesore, si shteg daljeje nga kriza energjetike.

Shteti ynë duhet të krijojë mundësi për furnizim me burime alternative, siç janë drunjtë dhe peleti; si dhe të bëjë gati një plan të efiçiencës, ku do të përfshiheshin shkollat, shtëpitë e shëndetit, e objekte të tjera publike. Duhet një strategji për negocimin e kontratave afatgjate për furnizim me energji; dhe sikurse për çdo produkt tjetër bazik - heqja e TVSh-së në rrymë, deri në tejkalim të krizës. Qeveria duhet të përgatisë një pako të re të subvencionimit të energjisë elektrike; si dhe të largojë tarifat diskriminuese të ZRrE-së.

LDK kërkon inicimin dhe zotohet të përkrahë çdo nismë ligjore eventuale në Kuvend për të themeluar Bursën e Përbashkët për Energji Kosovë-Shqipëri. Në planin afatgjatë, Qeveria duhet urgjentisht të nisë procedurat për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese me burime të gazit natyror - pra termocentralit me gaz, energjisë solare dhe asaj nga era. Këto propozime janë në vazhdën e opozitarizmit konstruktiv, rrugë të cilën LDK do të vazhdojë ta ndjek, gjithmonë në të mirë të interesit qytetar!

Lajme të ngjashme