LDK del partia më demokratike në Kosovë sipas sondazhit, AAK e VV me rezultat të dobët
Gjatë ditës së djeshme, administratorët e grupit të Nacionales në Viber, pyetën lexuesit se cila parti ishte më demokratikja në Kosovë. Përgjigjet nuk mund të ishin më befasuese.
Pikërisht dje, Vetëvendosje po përmbyllte procesin e saj të zgjedhjeve të brendshme që rezultoi me një rizgjedhje të pritshme të Albin Kurtit si kryetar edhe për një mandat tjetër.
Kurti siç u mësua më vonë, i fitoi 98,6 për qind ose 0,2 për qind më pak se herën e fundit (janar 2018).
Por, cila parti sipas lexuesve tanë ka demokracinë e brendshme më të konsoliduar?
Deri më tash, janë bërë 1053 vota dhe 52 për qind prej tyre i ka marrë Lidhja Demokratike (LDK) ose 549 sosh. LDK deri më tash i ka pasur katër kryetarë: Ibrahim Rugova, Fatmir Sejdiu, Isa Mustafa dhe Lumir Abdixhiku.
PDK ishte partia që doli e dyta me 40 për qind të votave. Kjo parti politike i ka pasur vetëm tre kryetarë deri tash, Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe tash Memli Krasniqin. Dy të parët besohet se vazhdojnë të kenë ndikim të madh në parti, përkundër që ndodhen në paraburgim në Hagë.
Me rezultat të ngjashë ishin VV dhe AAK që sipas lexuesve tanë qëndrojnë keq, me të parin që i mori vetëm 2 për qind dhe të dytën që i mori vetëm 3 për qind të votave.

Të paktën sa për sy e faqe – shprehur me fjalor të Glauk Konjufcës – Vetëvendosje e ka pasur një kryetar tjetër përveç Albin Kurtit (Visar Ymerin). Ndërsa AAK-ja megjithatë nuk ka pasur kryetar tjetër pos Haradinajt, as sa për sy e faqe.