LB-ja: Pozita dhe opozita të papërgatitura për mundësinë e ridizajnimit të dialogut me Serbinë
Lëvizja për Bashkim(LB) i ka ftuar Qeverinë dhe opozitën që të përgatiten për ridizajnimin e procesit të dialogut Kosovë - Serbi.
Përmes një komunikate për medie, kjo parti ka vlerësuar se edhe ndërmjetësuesi i dialogut është duke u angazhuar në këtë drejtim.
Sipas LB-së, kjo po ndodh për shkak të mungesës së rezultateve dhe të shterpësisë së këtij lloji të dialogut.
“Sërish edhe pozita, edhe opozita në Kosovë do të gjenden të papërgatitura për këtë ridizajnim, pikërisht për shkak se u mungojnë idetë, e, çka është edhe më keq, u mungon edhe vullneti. Sepse si pozita, ashtu edhe opozita çështjen e dialogut Kosovë-Serbi gjithmonë e kanë parë dhe vazhdojnë ta shohin vetëm si një frikë elektorale dhe si një detyrim ndërkombëtar. Prandaj nuk i qasen me seriozitetin e nevojshëm e të domosdoshëm kësaj çështjeje me rëndësi jetike për Kosovën dhe qytetarët e saj”, është thënë në komunikatën e LB-së.
Kjo parti e ka treguar edhe mënyrën se si duhet, sipas saj, të bëhet ky ridizajnim.
“Prandaj, ridizajnimi i dialogut Kosovë-Serbi duhet të bëhet mbi bazën e të drejtave të njëjta si për serbët e veriut të Kosovës, ashtu edhe për shqiptarët e Kosovës Lindore. Madje pa e përjashtuar edhe ripërcaktimin e kufijve Kosovë-Serbi mbi po këtë parim. Rrugët e tjera na lënë këtu ku jemi – në status quo aspak të favorshme për ne”, është thënë në komunikatë.