LAJMI I FUNDIT: Rakiq jep dorëheqje nga pozita e ministrit në Kosovë
Kreu i Listës Serbe Goran Rakiq, sot ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje edhe nga pozita e ministrit të ministrisë për Kthim dhe Komunitete.
Rakiq, këtë vendim e mori pas takimit që partia e tij mbajti sot në Zveçan me të gjithë pjestarët serb që punojnë në institucionet e Republikës së Kosovës.
E ky njoftim i Listës Serbe ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS - Republika e Kosovës.
"Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri", ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq pas takimit.
Në këtë takim - me dyer të mbyllura - kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të të gjitha institucioneve të Kosovës nga rajoni i veriut, përfshirë punonjës të gjykatës, prokurorisë dhe policisë.
Komunat në veri, të banuara me shumicë serbe janë: Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani.