Lajm i mirë: Rusia thotë se do ta vazhdojë pjesëmarrjen në marrëveshjen për drithëra
Rusia tha të mërkurën se do ta vazhdojë pjesëmarrjen në marrëveshjen për eksportimin e drithërave nga Ukraina pas pezullimit të pjesëmarrjes në fundjavë. Pezullimi paraqiti rrezik për ta përkeqësuar urinë në botë.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se ka pranuar garanci me shkrim nga Kievi që korridori për transportimin e drithërave nëpër Detin e Zi nuk do të përdoret për operacione ushtarake kundër Rusisë, raporton agjencia “Reuters”.
“Federata Ruse konsideron që garancitë e pranuara për momentin duken të mjaftueshme dhe e vazhdon zbatimin e marrëveshjes”, thuhet në deklaratën e kësaj ministrie.
Rusia në fundjavën e kaluar e pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen për eksportimin e drithërave, duke thënë se nuk mund të garantonte siguri për anijet civile që kalojnë nëpër Detin e Zi për shkak të një sulmi ndaj flotës së saj atje. Ukraina tha se ky është një pretekst i rremë.