Kuvendi shkarkon Agron Bekën nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës
Kuvendi i Kosovës sot ka votuar për shkarkimin e Agron Bekës nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Pro shkarkimit të Bekës nga kjo pozitë kanë votuar 62 deputetë, ndërsa nuk ka pasur asnjë votë kundër apo abstenim.
Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës e profesori në Universitetin e Mitrovicës, Agron Beka, ishte paguar mbi 2 mijë euro për një numër ligjëratash që nuk i kishte mbajtur asnjëherë. Kjo pasi studentët kishin zgjedhur një tjetër lëndë zgjedhore. Megjithatë, Beka i kishte dorëzuar listat për kompensim në departamentin e financave.
Për këtë rast, ndaj Bekës kishte pasur edhe kallëzime penale. Në gjithë këtë situatë ishte i përfshirë edhe Salem Lepaja, ish-profesori i kryeministrit Kurti, aso kohe kryesues i Këshillit Drejtues në Universitetin e Mitrovicës.
Së fundmi për këtë rast ka dalur me një raport edhe Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit. Në raportin e Agjencisë që dikur njihej si Anti-korrupsioni, ka kërkuar nga Universiteti i Mitrovicës të hetohen shkeljet e mundshme për këtë rast.
Në raportin e Agjencisë që e kishte siguruar gazeta Nacionale, thuhej se Universiteti duhet të jetë më i vëmendshëm herave të tjera për të shmangur raste të tilla si i Agron Bekës.