Kush e pati fajin për gabimin e Kurtit në matematikë – hapet anketë me përgjigje qesharake
Në grupin “Komuniteti i Coolnfresh!” në “Facebook” është hapur një anketë për atë se kush e kishte fajin për gabimin e kryeministrit Albin Kurti gjatë zgjidhjes së një detyre matematikore, që u bë lajm viral këtyre ditëve. Përgjigjet ishin qesharake.
“Kush i ka fajet qe e gaboj kryeministri pergjigjen” – pyeti personi që e hapi anketën në grupin e njohur të humorit. Autori fillimisht ofroi tri opsione, por të tjerët shtuan përgjigje shtesë.
Tri opsionet fillestare – mjaft qesharake – ishin: dërrasa e zezë, Qeveria e kaluar dhe Ura e Ibrit.
Dikush e shtoi opsionin “vetëbesimi i tepruar”, e një tjetër tha se “ekuacioni u kanë gabim”.
Sidoqoftë, një anëtari të grupit – me gjasë mbështetës i Kurtit – nuk iu duk qesharake pyetja dhe e shtoi opsionin “u bo bajat qeky sen mo, a spo keni tjeter “humor” a?”.
Megjithatë, shumica e votuesve zgjodhën një opsion që ishte ofruar në fillim nga autori i anketës.
Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, 81 për qind e pjesëmarrësve në anketë e zgjodhën opsionin “Qeveria e kaluar”, 5 për qind “dërrasa e zezë”, 5 për qind “Ura e Ibrit” dhe po ashtu 5 për qind “vetëbesimi i tepruar”.
Gabimi i kryeministrit në matematikë bëri bujë në vend, por u bë edhe lajm ndërkombëtar. Për të raportoi uebfaqja e njohur amerikane e lajmeve, “Politico”.